Ky puding me çokollatë është fantastik jo vetëm për mëngjes, por dhe për një vakt dytësor si ai i paradites apo pasdites; gjithmonë në varësi të çfarë keni konsumuar më parë.

Baza e këtij pudingu janë farat chia të cilat janë të pasura në fibra, omega-3, proteinë, vitamina dhe minerale. Gjithashtu këto fara janë stabilizues të sheqerit në gjak, duke e bërë kështu këtë përbërës ideal dhe për ata që vuajnë nga diabeti. Ato menaxhojnë efektet e diabetit, përmirësojnë ndjeshmërinë e insulinës dhe lehtësojnë simptomat e lidhura me sindromën e metabolizmit, duke përfshirë disbalancat e kolesterolit, tensionin e lartë të gjakut dhe rritjet ekstreme të sheqerit në gjak pas vakteve ushqimore. E thënë me pak fjalë ky vakt është ideal dhe për diabetikët.

Ndodh që shumë prej nesh të bezdisen nga tekstura e farave në puding, prandaj ky version eleminon këtë dukuri; duke e bërë këtë puding kremoz dhe të njëtrajtshëm. Meritë për këtë ka një nga blogeret e mia të preferuara të ushqimit të shëndetshëm LILSIPPER (receta bazë është e saja).

 

  • Përdorni kakao të hidhur, të një cilësie të mirë.
  • Përdorni qumësht normal ose alternativ nëse do ta merrni me vete në aktivitetin tuaj ditor dhe do ta konsumoni më vonë.
  • Sasia e qumështit mund të shtohet në rast se e dëshironi masën me të hollë.
  • Mund të shtoni pak kanellë pluhur me majat e gishtave, për një thyerje të shijes së çokollatës.
  • Nëse dëshironi që pudingu juaj të jetë i ëmbël, përdorni mjalt ose shurup panje.
  • Nëse jeni diabetik dhe e doni këtë recetë të ëmbël, zëvendësoni mjaltin me stevia (kujdesuni që të jetë origjinale).
  • Një ide tjetër mjaft praktike është ta ëmbelsoni pudingun me fruta të ndryshme si banane, mango, fruta pylli etj.

Chocolate Chia Pudding 2 Chocolate Chia Pudding 3 Chocolate Chia Pudding 4 Chocolate Chia Pudding 5 Chocolate Chia Pudding 6

Proçedura:

 

Bluani farat chia në pluhur me një blender ose grirës ushqimor.

Në një tas sitni kakaon dhe më pas shtoni qumështin.

Përzieni mirë duke u kujdesur që të mos keni topa kakaoje të papërzier e më pas shtoni mjaltin, shurupin e panjës ose stevian nëse jeni duke përdorur.

Në fund shtoni farat chia të bluara dhe përzieni së bashku.

Lëreni masën në frigorifer për minimumi 10 minuta para se ta konsumoni.

Nëse dëshironi të keni një masë akoma më kremoze, vendoseni atë në grirës ushqimor dhe pulsoni disa herë.

Shtoni qumësht sipas dëshirës nëse mendoni që masa është më e trashë nga sa ju e dëshironi.

Shërbejeni siç është ose servirur me fruta të ndryshme.

Chocolate Chia Pudding 8 Chocolate Chia Pudding 9 Chocolate Chia Pudding 10

Fotografitë nga Eranda Janku