Duke qenë se fundviti po afron të gjithë mendojmë se çfarë t’i blejmë njerëzve tanë më të dashur! Shumë prej jush e kanë zgjidhur këtë çështje duke blerë kutitë e Kikiliciouss dhe për këtë ju falenderojmë. Nga ana tjetër na vjen keq që nuk mundem të plotësonim dot dëshirën e secilit prej jush, duke qenë se ky produkt ishte i limituar në sasi.

Ndër vite Kikiliciouss mbështet biznese e start up-e të reja (lexoni artikujt e mëparshëm KËTU & KËTU (CRIST Linea Uomo1 Fjongo Për TyAriana Nila Jewelry, Bees and Trees Bio-Cosmetics)) dhe ndan me ju produktet e tyre për të bërë një zgjedhje të mirë dhe gjithashtu të veçantë. Ndihemi mirë teksa shohim se këto artikuj dhe ide janë përqafuar menjëherë nga ju.

Artikulli i sotëm quhet “Bli Shqip” dhe do ndajmë me ju 2 ide dhuratash tejet interesante dhe të veçanta. Dy histori suksesi të cilat vijnë falë 2 vajzave mjaft të talentuara.

 

Un Jewelry është një biznes i ri në treg, por ka rreth 2 vite që mendohet dhe punohet. Sabrina Shehu, një vajzë mjaft e talentuar e cila punon plot pasion, themeluese e Un-it e ka pasur ëndërr që e vogël dhe duke qenë se ka pasur gjithmonë tërheqje ndaj formave gjeometrike (arkitekte në profesion), vendosi të krijojë një linjë minimale, elegante dhe chic. Një ndërthurje e materialeve të përdorura.

Un-i diferencën e bën në kombinim, mënyra se si 2 apo 3 aksesorë mund të duken si 1 i vetëm. Qëllimi i Un Jewelry është që të përdoret si një aksesor i përditshëm, jo vetëm në raste të veçanta. Të vësh gurë të çmuar dhe flori solid edhe gjatë ditës.

Çfarë personalisht më tërheq tej mase tek Un Jewelry është jo vetëm minimalizmi në forma, por dhe finesa e punimit e trashësia e unazave (një detaj tejet i rëndësishëm për mua).

Në fund të fundit kush është ajo femër që i thotë jo një aksesori të punuar me delikatesë?!

Bli Shqip 2 BliShqip3 BliShqip4 BliShqip5

Oniro Studio është një studio e re e hapur rreth një muaj më parë. Por fillesat i ka shumë kohë më parë. Themeluesja quhet Kristina Rexhaj (arkitekte në profesion) dhe është një vajzë mjaft e talentuar e cila e ka shpalosur këtë talent duke sjellë në treg pikturat e saj, por jo vetëm.

Ajo që më bëri të interesuar të dija më shumë ishin në fakt dërrasat ku mund të servirim produkte të ndryshme. Teknika e përdorur është pikturimi i një stili ekspresionist abstrakt dhe më e bukura është që secila nga punimet është unike. Ky rrugëtim nisi krejt rastësisht për Kristinën, por duke parë interesimin e lexuesve të saj vendosi të sjellë seri të ndryshme të këtyre dërrasave.

Një dhuratë e tillë për këdo që ka dëshirë të gatuajë apo të ftojë miq në shtëpi duke krijuar antipasta të ndryshme do ishte jo vetëm shumë e dobishme por dhe një copëz arti bashkë me ushqimin.

Bli Shqip 6 Bli Shqip 7 Bli Shqip 8 Bli Shqip 9

 

Fotografitë nga Kikiliciouss