Këto biskota janë një krijim imi bazuar në recetën time të disa viteve më parë të biskotave me tërshërë dhe arrë kokosi. Më duhet të them që ky version i ri e ka mposhtur atë të parin duke u cilësuar si biskota më e pëlqyer tek Luga e Argjendtë.Mu desh të beja disa prova deri sa arrita në rezultatin e dëshiruar. Këto biskota janë të sheshta, krokante, të ëmbla dhe tejet të shijshme. Lajmi më i mirë për të gjithë; sidomos për ata që nuk konsumojnë vezë apo bulmet është se janë vegan. Fakti që jane vegan bën që ndër të tjera këto biskota të rezistojnë më gjatë. Mjafton t’i vendosni në një enë të mbyllur hermetikisht dhe mund të durojnë pa frikë deri në 3 javë.
Duke qenë se provat për të arritur në raportet e duhura kanë qenë të shumta mund t’ju them disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë të arrini dhe ju rezultatin që dëshironi :

  • Nëse përdorni fara lini të plotë dhe miell 00 do të keni biskota krokante, të sheshta, por pak të yndyrshme në përbërjen e tyre.
  • Nëse përdorni fara lini të bluara dhe miell integral këto biskota do të jenë më pak krokante dhe më të thata në përbërje.
    Kështu që është në dorën tuaj si doni që ti keni këto biskota.

Arsyeja e mos vendosjes së një gramature të saktë për tërshërën dhe arrën e kokosit është se çdo herë masa mund të kërkojë më shumë ose më pak, prandaj duhet parë me sy deri sa brumi të jetë ngopur nga këto përbërës.
Raporti i tërshërës dhe arrë kokosit: për çdo 500 gram tërshërë shtoni 50 gram arrë kokosi.

2-BV1 3-BV2 4-BV3 s223.jpg

Proçedura :

 

Vendosni farat e linit (të plota ose të bluara) në një enë së bashku me ujin dhe lërini për 10-15 minuta deri sa fara e linit ta ketë thithur ujin.
Ndizni furrën në temperaturë 176°C.
Shtroni letër furre në dy tepsia biskotash dhe lëreni mënjanë.
Në një tas rrihni së bashku sheqerin, kripën, kanellën, ekstraktin e vaniljes, fryrësin e ëmbëlsirave dhe vajin e misrit për jo më shumë se 2 minuta.
Shtoni masën e farave të linit dhe rrihni me rrahësin tuaj elektrik derisa ajo të jetë bërë homogjene dhe të mos shihni më vaj në anë të tasit, pra ta ketë thithur fara e linit yndyrën.
Pjesa tjetër duhet të vazhdojë me dorë duke përdorur një spatul ose lugë druri (jo me rrahës elektrik).
Shtoni miellin dhe përzieni deri sa ai të jetë bërë njësh me masën.
Shtoni masën tërshërë-arrë kokosi deri sa ta kuptoni që është mjaftueshëm.
Si ta kuptoni : atëherë kur masa të jetë ngopur me këto përbërës, pra kur ta prekni brumin me gisht të mos ngjis brum në të.
Duke përdorur një lugë të vogël akulloreje ose 2 lugë çaji shpërndani brumin në letrën e furrës.
Sigurohuni të lini hapësirë mes njera tjetrës.
Pasi të keni mbaruar këtë hap mbushni një enë të vogël me ujë të vakët dhe sheshojini biskotat plotësisht me dorë.
Piqini deri sa të marrin një ngjyrë kafe të artë.
Nxirrini nga furra dhe lërini të ftohen plotësisht.
*Nëse fundi i njërës do jetë bashkuar me fillimin e tjetrës (siç më ndodh mua gjithmonë) me një thikë prini biskotat njëra me tjetrën sapo t’i nxirrni nga furra e më pas lërini të ftohen plotësisht.

7BVP1 8-BVP2 9-BVP3

 Fotografitë nga Eranda Janku