Të punuarit në grup sjell gjithmonë ide të reja dhe mbi të gjitha një ndihmesë pa të cilën e vetme nuk do ishte e mundur t’ia dilje. Kështu është dhe rasti i sotëm.
Këto biskota janë gatuar nga Eranda. Një recetë e adaptuar nga Food Network dhe e gatuar gjatë qëndrimit të saj në Amerikë. Teksa unë jam shumë e zënë me disa projekte të tjera, Kikiliciouss nuk do t’ju lërë në pritje të gjatë falë dashurisë së gjithë stafit për gatimin dhe dëshirës së mirë për ta bërë këtë platformë sa më funksionale dhe të thjeshtë për ju.
Një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe me përbërës lehtësisht të gjendshëm në supermarketet tona. Mjafton të keni dëshirë të fusni duart në brum dhe çdo gjë do të shkojë mirë.

  • Kjo recetë mund të shoqërohet me një karamel të thjeshtë i cili i spërkatet sipër biskotave.

2-CRB1 3-CRB2 4-CRB3 shqip

Proçedura:

 

Ndizni furrën në temperaturë 204°C.

Përzieni së bashku mascarpone-n, kanellën, 45 gram sheqer dhe lëreni mënjanë.

Në një tas të madh përzieni së bashku miellin, fryrësin e ëmbëlsirave, 40 gram sheqer dhe kripën.

Shtoni gjalpin e prerë në kubikë dhe punojeni brumin me gishta deri sa të arrini në një masë kokrrizore të thatë.

Hapni një vrimë në qëndër të tasit dhe shtoni qumështin e ftohtë.

Punojeni brumin deri sa të mblidhet në një.

Pudrosni me miell tavolinën e punës dhe punojeni brumin rreth 5-6 herë me duar.

Hapeni atë në një drejtkëndësh të madh (25x35cm) rreth 0.5cm të trashë (dhe nëse nuk është tamam drejtkëndësh mos u bëni merak).

Me kujdes hapni masën e mascarpone-s mbi brum duke u siguruar të lini rreth 1 cm në konture bosh.

Spërkatni qershiat ose rrushin e thatë dhe rrotullojeni brumin me kujdes në formën e një cilindri.

Transferojeni masën në një tepsi biskotash dhe lëreni në akull për 20 minuta.

Kalojeni brumin në një tavolinë pune të pudrosur me miell dhe prijeni atë në 8-10 pjesë të barabarta.

Shtroni letër furre në një tepsi biskotash dhe vendosini ato nga ana e prerë duke lënë 3cm hapësirë njëra me tjetrën.

Duke përdorur pëllëmbën e dorës, me kujdes shtypni pak biskotat.

Piqini ato për rreth 20-25 minuta, derisa shtresa e sipërme të fillojë të marrë ngjyrë kafe të ëmbël.

Lërini biskotat të ftohen para se t’i servirni.

CRB-P1 CRB-P2 CRB-P3 CRB-P4 CRB-P5 CRB-P6

 

 Fotografitë nga Eranda Janku