Akullorja me manaferra ishte një përpjekje e re tejet e sukseshme e kësaj vere. Duke qënë se nuk e kisha gatuar ndonjëherë manaferrën si frut në tipologjinë e ëmbëlsirave të ngrira, m’u deshën disa prova deri sa të arrija në produktin final të paraqitur sot në web.

Ngjyra e fortë e kësaj akulloreje të lë pa fjalë dhe të bën të duash ta provosh menjëherë. Me një shije unike dhe mjaft të balancuar, kremoze dhe të mëndafshtë në pamje kjo akullore artizanale përgatitet lehtësisht në kushte shtëpie. Prandaj mos humbisni kohë dhe shijojeni këtë mrekulli sa kemi fatin të kemi manaferra të egra me shumicë në treg.

  • Ekstrakti i vaniljes është një përbërës të cilin mund dhe ta lini jashtë, ju sugjeroj ta përdorni por pak sa për thyerje; jo që shija e vaniljes të jetë dominuese.
  • Sheqer përdorni në varësi të ëmbëlsisë së manaferrave, por nuk ju sugjeroj ta shtoni dozën më shumë se 110 gram.
  • Manaferrën pasi ta bluani kalojeni në një sitë jo shumë të imët. Duke qenë një frut me tul dhe në të njëjtën kohë me shumë fara bën që sitja të jetë shumë e vështirë nëse sita juaj është tejet e imët. Ky proçes do t’ju marrë pak kohë, por më besoni që do t’ia vlejë çdo minutë e shpenzuar kur të provoni produktin final.
  • Çdo akullore e bërë në shtëpi ndryshon në varësi të makinës së akullores që ju keni dhe përdorni. Kështu dhe kohëzgjatja si e mbajtjes së enës në akull si e gatimit të akullores ndryshon. Unë e lë enën time për rreth 24 orë në akull dhe akulloren të gatuhet për rreth 40 minuta.
  • Mund t’ju them tani më nga eksperienca që tekstura e një akulloreje të gatuar pa makinë ndryshon shumë nga ajo e gatuar me makinë akulloreje. Por nëse nuk e keni një të tillë kjo s’duhet të jetë pengesë për të shijuar një mrekulli të tillë. *Sidoqoftë unë ju rekomandoj ta blini një makinë të vogël akulloreje në rast se e keni pasion gatimin dhe të hani akullore ashtu si unë. Dini çfare hani, mund të gatuani sa herë të dëshironi dhe kostoja është shumë më e ulët se akulloret e blera në supermarket. E thënë shkurt investimi juaj do të shpërblehet 100%
  • Nëse nuk keni makinë akulloreje dhe doni të arrini një rezultat sa më afër atij me makinë mund ta vendosni masën e përgatitur në akull dhe çdo 30 minuta nxirreni tasin, përzieni masën me një rrahëse dore dhe vendoseni sërish në akull. Kjo mund t’ju marre diku tek 4-5 orë. *Në të kundërt thjesht lëreni masën në akull deri në mpiksje të plotë.

Processed with VSCO with se3 preset

Processed with VSCO with se3 preset

shqip1

Proçedura :

 

Në një tas të madh, rrihni së bashku të verdhat e vezëve me sheqerin dhe vaniljen për 3 deri në 4 minuta, deri sa masa të jetë dyfishuar dhe trashur, e të ketë marrë një ngjyrë të verdhë të hapur.

 

Versioni për fillestarët:

Shtoni qumështin dhe përzieni deri sa masa të jetë homogjenizuar.

Shtoni ajkën e ëmbël dhe përzieni ngadalë me spatul sa për të bërë inkorporimin e përbërësve.

Kini kujdes që të mos e përzieni shumë ose shpejt pasi do rrihni ajkën e ëmbël duke e kthyer në krem.

Vendoseni këtë masë në një tenxhere dhe gatuajeni në zjarr të butë për +/- 7 minuta duke e përzier me një spatul pa ndaluar.

Kremi do të jetë gati kur të jetë trashur dhe të lërë gjurmë në spatul apo lugën e drurit që po përdorni.

Si ta dalloni: Zhyteni lugën/spatulën në krem dhe nxirreni sipër. Kaloni gishtin përmes spatulës në mes. Nëse kremi qëndron i ndarë, kjo do të thotë që kremi është gati për hapin e rradhës.

*Nëse doni të jeni akoma më të sigurt për gatimin e kremit: Gatuajeni masën në banjomari. Kjo mënyrë do të shmangë maksimalisht mundesitë që e verdha e vezës të gatuhet.

Versioni Profesional:

Në një tenxhere shtoni qumështin dhe ajkën dhe kalojeni në zierje të lehtë.

Shtini një garuzhde nga qumështi në masën me të verdhat e vezëve të rrahura ndërkohë që e përzieni masën me një rrahëse dore pa ndërprerje.

*Është e rëndësishme që të mos ndaloni së përzieri në të kundërt veza do të gatuhet duke prishur bazën e akullores.

Kalojeni masën në tenxhere me pjesën tjetër të qumështit dhe gatuajini deri sa të arrini rezultatin final (lexo më sipër).

 

Kalojeni masën e përgatitur me një sitë të imët në një tas të pastër, për t’u siguruar nëse ka pasur ndonjë veze të prerë (nëse ka kaluar në zierje gjatë gatimit)

Vendosni qese celofoni duke prekur sipërfaqen e masës në mënyrë që të mos krijohet cipë gjatë ftohjes.

Lëreni tasin mënjanë sa të vaket kremi e më pas kalojeni në frigorifer për 5 orë ose përgjatë natës.

Mbas 5 orëve ose të nesërmen bluani manaferrat.

Kalojeni purenë në një sitë jo shumë të imët dhe me një spatul përzieni deri sa e gjithë masa të ketë kaluar poshtë dhe në sitë të kenë mbetur vetëm farat e frutit.

*Ky hap siguron që produkti final të jetë kremoz dhe i butë.

Shtoni limonin në masën e manaferrave të situra dhe bashkojeni atë me kremin e nxjerrë tani më nga frigoriferi.

Ndizni makinën e akullores dhe vendoseni masën e krijuar brenda.

Lëreni akulloren të bëhet sipas instruksioneve të makinës suaj.

Më pas zhvendoseni akulloren në një enë dhe lëreni në ngrirje për të paktën 2-3 orë para se ta shërbeni.

Akullore Me Mjeder 7 Akullore Me Mjeder 8 Akullore Me Mjeder 9 Akullore Me Manaferra 9 Akullore Me Manaferra 10 Akullore Me Manaferra 11 Akullore Me Manaferra 12 Akullore Me Manaferra 13

 

Fotografitë nga Eranda Janku